Secondary Adv

Shkodra po shndërrohet në surprizën e re të turizmit, ka rritjen më të lartë të prenotimeve

Qyteti verior po fiton terren si destinacion turistik gjatë gjithë vitit, me rritjen më të lartë të prenotimeve në akomodimet afatshkurtra.

Turizmi në Shqipëri po diversifikohet gjithnjë e më shumë dhe vëmendja e vizitorëve nuk po përqendrohet më vetëm te destinacionet bregdetare. Promovimi i shtuar në mediat ndërkombëtare dhe rrjetet sociale ka sjellë në fokus edhe qytete të tjera, ndërsa Shkodra po shfaqet si një nga përfitueset më të mëdha të këtij transformimi.

 

E njohur për trashëgiminë historike, pasurinë kulturore dhe pozicionin strategjik mes Alpeve Shqiptare, liqenit dhe bregdetit, Shkodra po konsolidohet si një nga tregjet më dinamike të akomodimit afatshkurtër në vend.

 

Sipas të dhënave të AirDNA, kompania e specializuar në analizën e tregut të qirave afatshkurtra në platformat Airbnb dhe Vrbo, Shkodra regjistroi rritjen më të lartë të normës së zënies së akomodimeve gjatë periudhës 12-mujore të përfunduar në mars 2026, duke kryesuar mes tregjeve kryesore turistike të Shqipërisë.

 

Rritje e fortë e kërkesës dhe ofertës

Rritja e turizmit në Shkodër nuk po reflektohet vetëm në numrin e prenotimeve, por edhe në zgjerimin e ofertës së akomodimit. Investimet në kapacitete të reja kanë qenë të konsiderueshme dhe tregu po i përthith këto investime me ritme të larta.

 

Të dhënat tregojnë se numri i njësive të listuara për qira afatshkurtër në Shkodër arriti në 1,309 në mars 2026, nga 1,032 që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky zgjerim i ofertës është shoqëruar njëkohësisht me rritje të vazhdueshme të kërkesës, duke treguar se tregu po zhvillohet në mënyrë të balancuar.

 

Në krahasim, Tirana numëron 5,291 njësi të listuara për qira ditore, Durrësi afro 4 mijë, ndërsa Vlora mbetet tregu më i madh në vend me rreth 10 mijë njësi aktive.

 

Një destinacion që po tërheq vizitorë gjatë gjithë vitit

Sipas të dhënave të AirDNA, Shkodra ka shënuar përmirësimin më të fortë të prenotimeve në tregun e akomodimeve afatshkurtra, duke kaluar destinacione më të konsoliduara dhe duke fituar gradualisht profilin e një destinacioni që tërheq turistë gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm gjatë sezonit veror.

 

Ky zhvillim lidhet me kombinimin e atraksioneve natyrore dhe kulturore që ofron qyteti, si dhe me interesin në rritje për turizmin e aventurës, turizmin kulturor dhe eksplorimin e Alpeve Shqiptare.

 

Tirana dhe Vlora mbeten liderë, por Shkodra rritet më shpejt

Pavarësisht rritjes së fortë të Shkodrës, destinacionet tradicionale vijojnë të mbajnë peshën kryesore në treg. Tirana ruan normën më të lartë të zënies së akomodimeve në vend, ndërsa Vlora mbetet tregu me inventarin më të madh të njësive të disponueshme.

 

Megjithatë, ritmet e zhvillimit e vendosin Shkodrën në një kategori më vete, duke e bërë një nga tregjet më interesante për investitorët dhe operatorët turistikë.

 

Çmime konkurruese për turistët

Një nga avantazhet e Shkodrës mbetet niveli relativisht i ulët i çmimeve të akomodimit krahasuar me destinacionet e tjera kryesore turistike. Sipas të dhënave të AirDNA, çmimi mesatar i një nate qëndrimi në Shkodër është rreth 47 euro.

 

Ky nivel është dukshëm më i ulët se në Golem dhe Vlorë, ku çmimi mesatar arrin rreth 67 euro për natë, si dhe më i ulët se në Durrës, ku një natë akomodimi kushton mesatarisht 63 euro.

 

Kombinimi i çmimeve konkurruese, rritjes së kapaciteteve pritëse dhe popullaritetit në rritje po e kthen Shkodrën nga një ndalesë tradicionale turistike në një destinacion më vete, me potencial të fortë zhvillimi në vitet e ardhshme.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat